Si çdo vit, 14 Tetori shënon ditën botërore të standardeve, në përgjigje të përpjekjes së mijëra ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët punojnë në drejtim të rritjes së cilësisë së produkteve e shërbimeve të çdo fushe.
"Të mbrojmë planetin përmes standardeve” është tema e lançuar këtë vit nga Organizata Botërore e Standardeve.
Efekti serë, rritja e shpejtë e popullsisë dhe urbanizimi sjellin nevojën për një përdorim gjithnjë e më të përgjegjshëm të burimeve natyrore e njerëzore, mes vullnetit politik e veprimit efektiv.
Në këtë kuadër, standardet përfaqësojnë një nga shembujt më të mirë të masave konkrete, si dokumente që përmbledhin eksperienca dhe zgjidhje teknike të provuara, nën shkëmbimin e ekspertizës së profesionistëve më të mirë nga vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim.
Në vendin tonë, Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit është organi kombëtar që realizon hartimin dhe adoptimin e standardeve europiane dhe ndërkombëtare si Standarde Shqiptare (SSH), duke adoptuar 98% të standardeve Europiane nën Direktiva, çka mundëson aksesin e biznesit vendas në tregun europian, si një konkurrent i barabartë me të gjitha shtetet anëtare të BE-së që përdorin të njëjtat standarde.
Në raport me standardet e publikuara nga organizmat evropiane dhe ndërkombëtare DPS-ja ka adoptuar si Standarde Shqiptare në fushën e telekomunikacionit 90 % të totalit të standardeve të publikuara nga ETSI; në fushën e elektroteknikës 25% të standardeve të publikuara nga IEC si dhe 30% të të gjitha standardeve ndërkombëtare të fushave të ndryshme të publikuara nga ISO.
Vetëm gjatë periudhës Janar-Gusht 2020 DPS-ja ka adoptuar 1130 standarde dhe dokumente standardizimi dhe ka vendosur në dispozicion të operatorëve të interesuar 1000 standarde të fushave më të kërkuara si:
Metoda provash - Cilësia e ujit, ajrit dhe tokës;
Produkte - Beton dhe produkte që lidhen me të. Automatizimi, menaxhimi dhe aksesorët në ndërtim. Çimento dhe gëlqere ndertimi. Gips dhe prodhime me bazë gipsi;
Shërbimi - Sigurimi i cilësisë dhe përgjegjësia sociale.
Janë miratuar nga MFE (me kërkesën e DPS) tarifa favorizueze për blerjen e standardeve, sidomos për blerjet që kalojnë shifrën e 10 standardeve. Gjithashtu është reduktuar në 50% çmimi i standardeve për anëtarët e Komiteteve Teknike të DPS-së, ndërkohë që për studentët tarifa e aplikuar është 15% e çmimit të standardeve.
DPS-ja ka iniciuar marrëveshje bashkëpunimi me disa subjekte universitare për përdorimin dhe vënien në dispozicion të studentëve të standardeve për fushën e ndërtimit pa pagesë.
Çdo biznes dhe palë e interesuar, në një hapësirë të dedikuar pranë DPS-së mund të lexojë falas tekstet e standardeve të ndryshme dhe të marrë përgjigje për çdo pyetje lidhur me blerjen e tyre.
Në kuadër të sfidës botërore kundër COVID-19, DPS-ja u vjen në ndihmë të gjitha subjekteve të interesuara mes vënies në dispozicion pa pagesë të standardeve që kanë të bëjnë me prodhimin e maskave vetjake. Lista me këto standarde është publikuar në faqen e internetit të DPS në link-un http://www.dps.gov.al/button_114.html
Aktualisht, porosia për blerjen e standardeve bëhet online, në link-un e faqes zyrtare www.dps.gov.al, duke kursyer kohë dhe kosto për biznesin. Ky shërbim arriti të ofrohej me përmirësimin e Databazës së Standardeve nëpërmjet fondeve të Qeverisë alokuar për këtë qëllim.
Gëzuar Ditën Botërore të Standardeve!
Për çdo rast mund të na kontaktoni në adresën:
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS)
Rruga: "Reshit Çollaku" (godina e ILDKPKI, kati VI)
Kutia Postare 98
1014 Tiranë – Shqipëri
Tel: + 355 (4) 222 62 55
Fax: + 355 (4) 224 71 77