DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Phone: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Address: Address: "Reshit Collaku" Str., (nearby ILDKPKI, VI floor), Po.Box 98, Tiranë - Albania
Main menu

Pyetje/Përgjigje të Shpeshta

1. Çfarë është DPS?

Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS) është Organi Kombëtar i Standardizimit në Shqipëri, i krijuar rreth 69 vjet më parë, i cili ushtron veprimtarinë e tij në bazë të ligjit 9870, 04.02.2008 “Për Standardizimin“. DPS përfaqëson Republikën e Shqipërisë në të gjitha Organizatat e njohura Evropiane e Ndërkombëtare të standardizimit si: Komitetin Evropian të Standardizimit (CEN), Komitetin Evropian të Standardeve për Elektroteknikën (CENELEC), Institutin Evropian të Standardeve të Telekomunikacionit (ETSI), Organizatën Ndërkombëtare për Standardizim (ISO), Komitetin Ndërkombëtar të Elektroteknikës (IEC) dhe interesat e të gjithë ekonomisë së vendit në hartimin dhe adoptimin e standardeve Evropiane e Ndërkombëtare si Standarde Shqiptare.

2. Cili është Misioni i DPS-së?

- Të përafrojë dhe te koordinojë të gjitha aktivitetet për një sistem standardizimi modern në nivel kombëtar bazuar në procedurat dhe praktikat e Organizatave Evropiane e Ndërkombëtare të Standardizimit;

- Të transferojë dhe ta vendosë në dispozicion të ekonomisë vendase dhe palëve të interesuara teknologjinë më të fundit Evropiane e Ndërkombëtare, duke realizuar kështu adoptimin e tyre si Standarde Shqiptare (SSH);

- Të rrisë ndërgjegjësimin publik për rolin e rëndësishëm që ka për tregtinë dhe vetë konsumatorin përdorimi i standardeve Evropiane e Ndërkombëtare të adoptuara dhe procedurave Evropiane të vlerësimit të konformitetit;

- Të ofrojë transparencë në të gjitha fazat e hartimit dhe adoptimit të standardeve, gjithëpërfshirje dhe konsensus të të gjitha palëve të interesuara;

- Të rrisë ndërgjegjësimin e komunitetit të biznesit, por jo vetëm, për të rritur cilësinë e produkteve dhe shërbimeve vendase;

- Të përfaqësojë dhe të mbrojë interesat e ekonomisë të vendit në procesin e hartimit dhe miratimit të standardeve veçanërisht të atyre evropiane, duke u bërë anëtare me të drejta të plota në CEN dhe CENELEC.

3. Cilat janë Prioritetet e DPS-së?

Përafrimi i paketës tonë ligjore me modelin e homologëve tanë në BE;

Zbatim i plotë në praktikë i legjislacionit të përafruar;

Përmbushja e kushteve për t’u bërë anëtar me të drejta të plota në CEN&CENELEC;

Vazhdimësia dhe rritja e numrit të adoptimeve të standardeve Europiane (EN) si standarde Shqiptare (SSH);

Marrja e të gjitha masave të nevojshme në mënyrë që të rritet zbatimi i EN-ve në ekonominë tonë.

4. Çfarë është një standard?

Standardet janë dokumente teknike, vullnetare, të cilët:

përmbajnë specifikime teknike për produkte apo shërbime të fushave të ndryshme;

përgatiten me propozimin e palëve të interesuara, pjesëmarrës ose jo në Komitetet Teknike të DPS;

bazohen në rezultatet e zhvillimit bashkëkohor të teknologjisë;

miratohen me konsensus nga Komitetet Teknike të DPS dhe ratifikohen nga DPS;

vihen në dispozicion të kujtdo.

5. Çfarë bëjnë standardet për ju?

Standardet inkurajojnë rritjen e ekonomisë;

Standardet janë mjete në duart e prodhuesve për të zbatuar legjislacionin, veçanërisht të fushave që mbulon Afrimi i Ri (New Approach);

Standardet rrisin sigurinë dhe cilësinë e produkteve e shërbimeve dhe inkurajojnë rritjen e konkurrencës së ndershme në treg;

Standardet eliminojnë pengesat teknike në tregti dhe lehtësojnë shkëmbimet tregtare me vendet e tjera;

Standardet sigurojnë nivelin e duhur ekologjik, qëndrueshmërinë dhe ruajtjen e mjedisit.

6. Çmimet e standardeve?

Tarifat dhe përfitimet; parashikuar në shkresën: “Miratim i tarifave të shitjes së standardeve”, dërguar nga Ministria e Financave, datë 12.04.2016. Lista e çmimeve

7. Si mund të blej një standard?

Standardin mund të vini ta blini pranë zyrave të DPS por mund ta porosisni edhe online në faqen tonë të Internetit: www.dps.gov.al

8. A ofron DPS ulje në çmimet e standardeve?

Blerësit e standardeve mund të jenë studentë, persona (fizik apo juridik), bashkëpunëtorë apo biznese. Zbritjet përkatëse sipas kritereve të mëposhtme:

Për të gjitha Standardet Shqiptare (SSH) të publikuara nga DPS, qofshin këto standarde puro Shqiptare apo që adoptojnë ato europiane (EN) dhe ndërkombëtare (ISO e IEC), që kërkohen nga studentët çmimi është sa 15% e çmimit për faqe siç jepet në listën bashkëlidhur;

Personat (fizikë dhe/ose juridikë), që blejnë më shumë se 10 standarde përfitojnë një ulje prej 10% e totalit të vlerës së standardeve të kërkuara;

Agjentët e shitjes, specifikuar në marrëveshjet e lidhura ndërmjet DPS-së dhe atyre, përfitojnë 30% të totalit të vlerës për të gjitha shitjet e standardeve (SSH) të realizuara prej tyre, ndërsa pjesa tjetër prej 70% i kalon DPS-së;

Për bashkëpunëtorët* e DPS-së çmimi është sa 50% e çmimit për çdo standard të kërkuar, siç jepet në listën e çmimeve bashkëlidhur.

*Bashkëpunëtorë janë të gjithë përfaqësuesit e palëve të interesuara, të cilët, bazuar në pikën 3 të nenit 12 të ligjit nr.9870, datë 4.2.2008 “Për Standardizimin”, i ndryshuar, kontribuojnë vullnetarisht në procesin e punës për hartimin dhe miratimin e standardeve, nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në Komitetet Teknike të DPS-së.