Bordi Drejtues (BD) i Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit (DPS), mbajti mbledhjen e tij të dytë për vitin 2017 më datë 29 Shtator, në ambientet e DPS-së. Pjesëmarrja ishte e mjaftueshme, (mbi kuorumin e nevojshëm, bazuar në VKM 433/2010 “Për krijimin, përbërjen, mënyrën e funksionit dhe kompetencat e Bordit Drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit”).
Mbledhja u drejtua nga Kryetari i BD, Z. Ilir Rrëmbeci, i cili hapi mbledhjen, duke e drejtuar atë sipas rendit të ditës të miratuar nga të gjithë anëtarët.
Rendi i ditës, ndër të tjera, përmbante:
- Analizën e punës vjetore të DPS dhe realizimi i detyrave të lëna nga mbledhjet e Bordit gjatë 2016;
- Objektivat në vazhdim dhe plani i punës për 2017;
- Diskutimin mbi shqyrtimin dhe rishikimin e përbërjes së Bordit Drejtues të DPS;
- Të ndryshme.
Disa nga rezultatet/vendimet e mbledhjes ishin:
- Gjetja e mundësive financiare, nga ana e DPS, për përkthimin me tekst të plotë në gjuhën shqipe të disa prej standardeve shqiptare, veçanërisht të atyre të harmonizuara për fusha të ndryshme të ekonomisë;
- Komunikimet me CEN dhe CENELEC për pjesëmarrjen e AKS në AG të ISOs;
- Organizimi i një takimi në nivel politik me DPS dhe tre Drejtori në Ministrinë e Bujqësisë, Drejtorinë e Kujdesit Veterinar, atë të Ushqimit dhe AKU, për një bashkëpunim më të ngushtë midis Organit Kombëtar të Standardeve dhe Ministrisë së Bujqësisë.
- Miratimi i ndryshimeve të propozuara nga Kryetari i Bordit Drejtues të DPS për disa ndryshime në përbërjen e këtij Bordi.