DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Phone: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Address: Address: "Reshit Collaku" Str., (nearby ILDKPKI, VI floor), Po.Box 98, Tiranë - Albania
Main menu

Standardizimi dhe Bizneset e Vogla, SME-të

Themi bizneset e vogla, dhe pranojmë faktin se më shumë se 90% e të gjitha bizneseve, në një vështrim global, janë biznese të vogla. Përsa i përket komunikimit mbi përfshirjen dhe pjesëmarrjen e bizneseve të vogla në aktivitetet e standardizimit, mendojmë se kemi shumë për të thënë, sepse standardet janë një element kyç i strategjisë së biznesit të tyre.

Është e njohur gjerësisht se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme luajnë një rol kyç në rritjen ekonomike të suksesshme, si në vendet e zhvilluara ashtu edhe në ato në zhvillim.

Kush janë përfitimet e SME-ve nga përdorimi i standardeve?

Për të bërë të qartë vlerën e standardizimit për SME-të, dhe edhe më shumë vlerën e standardeve evropiane e ndërkombëtare, është e rëndësishme të përshkruajmë më parë përfitimet nga pjesëmarrja në proçeset dhe aktivitetet e standardizimit.

Këto përfitime janë shpjeguar qartë në një numër botimesh të DPS-s, të cilat në më të shumtën e rasteve janë materiale të prodhuara nga organizata europiane e ndërkombëtare të standardizimit (CEN & CENELEC, ISO) dhe anëtarët e tyre, dhe që demonstrojnë përfitimet që ka biznesi nga përdorimi i standardeve në sektorë e fusha të ndryshme të ekonomisë.

Përfitimet nga standardet janë për të gjitha kompanitë, pavarësisht nga madhësia dhe specifika e biznesit të tyre. Një përparësi e veçantë p.sh. për SME-të është transferimi i njohurive teknike dhe ndjekja e praktikave më të mira - kompanitë më të vogla përfitojnë nga investimet e bëra nga ato më të mëdha. Por, ka shumë më tepër se kaq. Le të marrim si shembuj 4 sektorë të ekonomisë:

1. Industria e teknologjisë së informacionit (IT)

Sot numëron me mijëra kompani të vogla që operojnë në treg. Kështu, SME-të mund të përdorin sistemet kompjuterike më bashkohore që punojnë së bashku. Për më tepër, transparenca dhe gjithpërfshirja në proçeset e standardizimit për fushën e IT-së, ka hapur dyert për shumë e shumë SME, të cilat, duke aplikuar standardet europiane e ndërkombëtare, të bëhen furnizuesit për kompanitë e mëdha shumëkombëshe, ose për të zotëruar pjesë të tregut, si p.sh. ruajtjen e dokumenteve elektronike, shpërndarjen online dhe konsumit të burimeve të multimedias, kartat smart, identifikimin në mbarë botën të veprave muzikore apo aplikacionet e ardhshme digjitale në mjedisin e shtëpisë dhe të biznesit. Dhe, pa standardet europiane e ndërkombëtare, interneti në mbarë botën dhe sistemet ndërkombëtare të komunikimit nuk do të mund të kishin arritur këtu ku janë sot.

2. Sektori i ndërtimit

Sektori i ndërtimit është një tjetër sektor i madh, ku janë të përfshira një mori SME-sh, të cilat shpesh janë nga vende të ndryshme. Për shembull, në një projekt, ku një fabrikë ndërtohet në Kili, nga një kompani franceze, me projekte të realizuara nga inxhinierë suedezë, disa qindra standarde europiane e ndërkombëtare zbatohen aty në lidhje me sigurinë,metodat e provave të materialeve, përputhshmërinë ndërmjet produkteve, projektet teknike për instruksionet, materialet izoluese termike ose karakteristikat e energjisë, etj. Pra, nëse një kompani sipërmarrëse e biznesit të vogël (SME) zbaton standardet ekzistuese, europiane apo ndërkombëtare qofshin ato, nuk ka nevojë të ri-shpiki “rrotën”! Ky është transferimi i teknologjisë nga një kompani tek një tjetër, nga një shtet tek një tjetër pa as më të voglën pengesë. Kjo është të kalosh në një rrugë të shtruar tashmë nga të tjerë dhe të kalkulosh përfitimet nga përdorimi i këtyre standardeve.

3. Në sektorët e shërbimit

Kontribuesit kryesorë janë SME-të. Shumë nënvlerësojnë përfitimet që sigurojnë standardet për shërbimet që lidhen me aspektin e sigurisë, të shëndetit, fitnesit, informacionit dhe aspekte të tjera që kontribuojnë në cilësinë e shërbimit të ofruar, kënaqjes dhe besimit të konsumatorit. Është mëse e vërtetë se standardet e shërbimeve janë një fenomen relativisht i kohëve të fundit dhe në treg nuk ka shumë përvojë në përdorimin e tyre. Sfida qëndron në ndihmën për ofruesit e shërbimeve dhe palët e interesuara, që të kuptojnë përfitimet reciproke nga standardizimi dhe për të siguruar një mënyrë fleksibël dhe të besueshme në ofrimin e shërbimeve të bazuara në standarde. SME-të përfitojnë nga standardet europiane e ndërkombëtare për fusha që variojnë nga planifikimi financiar, trajtimit të ankesave, menaxhimit dhe të sigurisë së numrave personal të identifikimit, veshjet për zhytjet nënujore dhe shërbimeve të ujit e plot fusha të tjera.

4. Sektori i ushqimeve

I përket kryesisht fushës së detyrueshme dhe rregullohet kryesisht nga ligjet dhe rregullat e çdo vendi. Megjithatë, të gjitha palët në zinxhirin e ushqimit mund të nxjerrin përfitime nga zbatimi i standardeve vullnetare europiane e ndërkombëtare që kanë të bëjnë me zinxhirin e furnizimit me ushqim të sigurtë, pavarësisht nga madhësia apo aktiviteti i operacionit ose i produktit të përfshirë. Përdorimi i standardeve do të thjeshtojë marrëdhëniet e furnizimit ndërmjet prodhuesve të ushqimit, prodhuesit primar të ushqimit, operatorëve dhe nënkontraktorëve të transportit dhe magazinimit, ndërmjet të gjitha mënyrave për shitjen me pakicë dhe tregut të shërbimit të ushqimit - si dhe kompanive të tilla si prodhuesit e pajisjeve, të materialeve të paketimit, të pastrimit, të aditivëve dhe përbërësve ushqimorë. Furnizuesit do ta kenë më të lehtë të përdorin standarde të harmonizuara, të cilat kufizojnë dhe racionalizojnë numrin dhe llojin e vlerësimit të konformitetit të kërkuara nga klientët e tyre.

Artikulli i plotë