Mbi një miliard njerëz në mbarë botën kanë forma/nivele të ndryshme të aftësisë së kufizuar. Mbështetja dhe përfshirja e këtij grupi të madh të popullsisë, janë thelbësore për një shoqëri të qëndrueshme, e cila ka qenë tema e këtij viti për “Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar.
Kjo ditë kontribuon në qëllimet e përcaktuara në Axhendën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm, e cila premton që "askush të mos lihet mbas dore".
Disa nga Standardet e Organizatës Ndërkombëtare për Standardizimin (ISO), janë mjetet kryesore për arritjen e këtyre qëllimeve, dhe ka ende shumë Standarde të tjera, në përgatitje e sipër, duke nisur nga sinjalistika rrugore e deri në ndërtimin e ndërtesave, të cilat ndihmojnë prodhuesit, ofruesit e shërbimeve, projektuesit dhe hartuesit e politikave, të krijojnë produkte dhe shërbime, në plotësim të nevojave për çdo shtresë të popullsisë.
Këtu përfshihen standardet për teknologjinë ndihmëse, pajisjet lëvizëse për njerëzit e moshuar dhe shumë më tepër. Në fakt, fushat janë disa, madje ISO ka edhe udhëzues për hartuesit e standardeve, për të siguruar që nevojat e personave me aftësi të kufizuar, janë marrë parasysh gjatë shkrimit të standardeve të reja.
Udhëzuesi ISO/IEC 71, për trajtimin e çështjeve të plotësimit të nevojave të personave me aftësi të kufizuar nëpërmjet standardeve, i hartuar nga ISO në bashkëpunim me Komisionin Ndërkombëtar Elektroteknik (IEC) dhe Bashkimin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), synon të ndihmojë hartuesit e standardeve që të marrin parasysh këto çështje, gjatë zhvillimit ose rishikimit të standardeve, nëse ato nuk janë trajtuar më parë.
Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar i dedikohet ndërtimit të një bote paqësore dhe të begatë, e përcaktuar në 17 Objektivat e Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDGs) – duke konsideruar për këtë edhe rolin e qindra Standardeve të ISO-s.
Shembujt përfshijnë Standardin ISO 17049 për përdorimin e tastierave të posaçme të projektuara për t’u aksesuar nga personat e verbër, Standardin ISO 23599 për produktet ndihmëse për personat e verbër dhe me shikim të dobët dhe për standardin ISO 21902 për të bërë të mundur turizmin edhe për këtë shtresë, të cilët kontribuojnë direkt në plotësimin e objektivit SDG 3: Shëndeti dhe Mirëqenia e Personave me Aftësi të Kufizuar.
Përveç kësaj, standardet si ISO 37101 “Zhvillimi i qëndrueshëm në komunitet - Sistemi i menaxhimit për zhvillim të qëndrueshëm - Kërkesat me udhëzime për përdorim” janë të paçmueshme për arritjen e objektivit SDG 11: Qytete dhe Komunitete të Qëndrueshme, i cili ndihmon në bërjen e qyteteve gjithëpërfshirëse, të sigurta dhe të pastra/shëndetshme për të gjithë qytetarët.
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS) i ka te adoptuara këto standarde dhe kushdo që është i interesuar për to mund të na vizitojë në zyrat tona në adresën:
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS)
Rruga “Mine Peza”, Nr. 143/3, 1014 – Tiranë
Kutia Postare Nr. 98
Tel: + 355 (04) 222 62 55
Fax: + 355 (04) 224 71 77
E-mail: info@dps.gov.al
Web site: www.dps.gov.al