DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Tel/Cel: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Adresa: Rr.: "Reshit Collaku", (pranë ILDKPKI, kati VI), Kutia Postare 98, Tiranë - Shqipëri
Main menu

DPS celebron Ditën Botërore të Standardeve

“Standardet krijojnë besim”

Si në mbarë botën edhe në Shqipëri, Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, organizoi një konferencë, me rastin e Ditës Botërore të Standardeve, e cila celebrohet cdo vit në datë 14 Tetor.

Konferenca u mbajt në datë 17 Tetor 2016, në ambientet e Hotel “ROGNER”, në nder të qindra e mijëra ekspertëve në mbarë botën, të cilët kontribuojnë vullnetarisht në hartimin dhe miratimin e standardeve teknike në të mirë të zhvillimit dhe mirëqënies së shoqërisë.

Në konferencë mori pjesë, Znj. Milva EKONOMI, Ministre e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Znj. EKONOMI ndër të tjera theksoi se “Standardizimi është i rëndësishëm për rritjen ekonomike, sigurinë dhe mbrojtjen e konsumatorit”. Prej shumë vitesh – tha Zj. Ministre, po përpiqemi fort që ekonomia shqiptare të bëhet pjesë e tregjeve europiane dhe se kjo është një përpjekje që po merr formë cdo ditë e më tepër. Në momentin që ne tregtojmë shërbime dhe produkte ato kanë nevojë të shoqërohen nga një standard, i cili njihet në Tregun Unik Europian. Për këtë na nevojiten standardet vendase të njejta me ato europiane e ndërkombëtare.

Zj. Ministre, u ndal edhe në ecurinë e deritanishme në fushën e standardizimit, ku vuri në dukje se Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit vetëm në 3 vitet e fundit ka adoptuar rreth 9.000 standarde europiane e ndërkombëtare si Standarde Shqiptare. Sot ne kemi arritur ti vemë në dispozicion biznesit vendas 97% të standardeve europiane. Duke konsideruar, se vëmendja e Qeverisë Shqiptare është të rrisim cilësinë e produkteve vendase “Made in Albania”, t’i bëjmë ato të konkurueshme në tregjet rajonale e globale, një pjesë e këtyre bizneseve janë ndihmuar edhe nga Fondi i Konkurueshmërisë, që menaxhohet nga Agjensia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Përdorimi, nga bizneset vendase, i standardeve të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit, bën që ata të eksportojnë në rajon e më gjerë, duke kontribuar kështu jo vetëm në përfitimet ekonomike të vetë kompanisë, por edhe në rritjen e ekonomisë së vendit.

Siç edhe ishte lajmëruar, në këtë takim morën pjesë ekspertë të fushave të ndryshme të ekonomisë, si inxhinierë, teknologë, kimistë, pedagogë të universiteteve, agronomë, specialistë të fushave të mjeksisë, përfaqësues të kompanive e bizneseve private në vend, të cilët janë anëtarë të Komiteteve Teknike të DPS-së dhe japin vullnetarisht kontributin e tyre për hartimin dhe miratimin e standardeve.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Përgjithshëm i DPS z. Riza HASANAJ, falenderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe në mënyrë të vecantë gjithë anëtarët dhe kryetarët e Komiteteve Teknike të DPS dhe ekspertët e fushave të ndryshme të ekonomisë, pa kontributin e të cilëve nuk do të ishte e mundur të hartoheshin, adoptoheshin dhe miratoheshin standardet shqiptare në fuqi.

Në takim morën pjesë dhe referuan përfaqësues nga biznesi në Republikën e Kosovës, si dhe nga Agjencia Kosovare e Standardizimit (AKS), të cilët theksuan rëndësinë e përdorimit të standardeve në produktet dhe shërbimet e ofruara në treg e gjithashtu arritjet e deritanishme të AKS dhe rolin e bashkëpunimit midis dy organeve tona të standardeve (DPS dhe AKS).

Me interes rezultuan prezantimet nga biznesi, konkretisht prezantimi i ANTEA Cement, JOER sh.p.k – Kompani prodhimi kozmetike, Solid – Kompani prodhimi këpucësh në Kosovë, ECQS – Kompani Certifikimi, të cilat përbëjnë realisht histori suksesi në drejtim të përdorimit të standardeve në produktet vendase. Gjithashtu, një prezantim me interes u bë dhe nga perfaqësuesi i Universitetit Politeknik - Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit.

Pjesëmarrësit vlerësuan edhe materialet e ndryshme të informimit e promovimit të shpërndara nga DPS me këtë rast, si: broshura, postera, fletëpalosje, Katalogu i Standardeve Shqiptare 2016 në format letër dhe elektronik, si dhe shfaqjen e një video të përgatitur nga Organizata Ndërkombëtare e Standardizimit (ISO) me rastin e kësaj Dite.

Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS)

Rruga “Mine Peza”, Nr. 143/3, 1014 – Tiranë

Kutia Postare Nr. 98

Tel: + 355 (04) 222 62 55

Fax: + 355 (04) 224 71 77

E-mail: info@dps.gov.al

Web site: www.dps.gov.al