Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS) është Organizmi Kombëtar i Standardizimit në Shqipëri. Ajo përfaqëson Republikën e Shqipërisë në Organizmat Evropiane e Ndërkombëtare të Standardizimit dhe interesat e të gjithë ekonomisë së vendit në hartimin dhe adoptimin e standardeve Evropiane e Ndërkombëtare si Standarde Shqiptare (SSH).
DPS është Autoriteti Kombëtar i Notifikimit dhe Pika Kombëtare e Referimit në OBT për standardet, rregullat teknike dhe procedurat e vlerësimit të konformitetit me ndikim në tregti.
Bordi Drejtues i DPS
Bordi Drejtues i Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit, është një nga organet drejtuese të këtij institucioni, misioni i të cilit është sigurimi i transparencës dhe paanshmërisë ndërmjet palëve të interesuara në procesin e vendim-marrjes së standardizimit dhe ruajtja e barazisë së secilës palë në këtë proces.
Bordi Drejtues përbëhet nga 11 anëtarë, të cilët janë përfaqësues të palëve të interesuara në procesin e standardizimit, respektivisht biznesi, qeveria, konsumatori, akademia. Ky përfaqësim është i tillë, që interesat e palëve të jenë të balancuara, ku e drejta për të propozuar, për t'u informuar dhe për të vendosur të jetë e barazpeshuar ndërmjet palëve.
Bordi Teknik i DPS
Menaxhimi i punës teknike të standardizimit kryhet nga Bordi Teknik. Ky organ teknik mblidhet minimalisht 2 herë në vit për të shqyrtuar, konsultuar dhe marrë vendimin përfundimtar në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me organizimin, koordinimin dhe planifikimin e punës për standardizimin.
Në Bordin Teknik (BT) marrin pjesë përfaqësues nga palët e interesuara për standardizimin, të cilët kontribuojnë vullnetarisht me ekspertizë teknike në këtë proces. Miratimi i anëtarëve bëhet nga Bordi Drejtues me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të DPS-së në cilësinë e kryetarit të BT.
Komitetet Teknike (KT) të standardizimit
Komitetet Teknike (KT) të standardizimit janë organizmat e punës së DPS-së dhe aktivizohen për fusha të caktuara të standardizimit. Pjesëmarrja në KT është vullnetare, e hapur për të gjitha palët e interesuara. Anëtarët e këtyre organizmave propozohen dhe miratohen nga Bordi Teknik në përputhje me kërkesat e specifikuara në rregulloren përkatëse.
DPS-ja bashkëpunon me rreth 200 ekspertë, me përvojë të fushave të ndryshme, të cilët vijnë nga sektori privat dhe shtetëror, Institucione Shkencore, Administrata Publike, Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, Shoqata Prodhuesish dhe Konsumatori, Universitetet, etj., që sjellin drejtpërdrejtë mendimet e palëve që përfaqësojnë, gjatë procesit të hartimit dhe miratimit të standardeve.
Forumi Kombëtar i Standardizimit
Bazuar po në Ligjin nr. 10384 - “Për disa ndryshime në Ligjin Nr. 9870, datë 02.04.2008 “Për Standardizimin””, pranë DPS-së është ngritur Forumi Kombëtar i Standardizimit (FKS).
Çdo person fizik dhe/ose juridik që ushtron veprimtari në Republikën e Shqipërisë mund të bëhet anëtar i këtij forumi.
Rregulloren për organizimin dhe funksionimin e FKS-së e ka miratuar Bordi Drejtues. Në Rregullore përcaktohen llojet e anëtarësimit, aplikimi dhe pranimi i anëtarësimit, kuotat/tarifat e anëtarësimit, të drejtat dhe detyrimet etj.
Mendimi Publik
Në kuadrin e transparencës, gjithëpërfshirjes dhe konsensusit, DPS-ja publikon në Buletinin Informativ Periodik të Standardeve të gjitha projekt-standardet e parashikuara për adoptim nga Komitetet Teknike (KT) të ndryshme, aktive. Kjo listë vihet në dispozicion në format elektronik në faqen e Internetit të DPS-së (ose dërgohet me postë elektronike tek palët e interesuara) dhe format i printuar në ambientet e saj.
Për një periudhë 60 ditore KT-të qëndrojnë në pritje të komenteve mbi projekt-standardet në mënyrë që miratimi i tyre të përputhet me interesin kombëtar. Komentet mund të dërgohen përmes postës elektronike ose faqes së DPS-së.