DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Tel/Cel: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Adresa: Rr.: "Reshit Collaku", (pranë ILDKPKI, kati VI), Kutia Postare 98, Tiranë - Shqipëri
Main menu

Sistemet e menaxhimit të shëndetit dhe sigurisë në punë - Kërkesat me udhëzime për përdorim

Standardi SSH EN ISO 45001 është standardi i parë dhe i vetëm për menaxhimin e shëndetit dhe sigurisë në punë, i cili u hartua duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare për menaxhimin e shëndetit në punë.

Ai ka për qëllim të reduktojë aksidentet dhe sëmundjet profesionale duke i ofruar punëtorëve dhe punonjësve një ambjent të sigurtë pune. Standardi për sistemet e menaxhimit të sigurisë dhe shëndetit në punë ofron zgjidhje praktike për sigurinë e punëtorëve dhe punonjësve. SSH EN ISO 45001 u hartua për të shmangur çdo faktor risku, që mund t'u shkaktojë punëtorëve dhe punonjësve aksidente dhe sëmundjet profesionale.

Puna me sigurime dhe me të drejta të plota është punë e sigurtë, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Çdo vit në botë, sipas statistikave vdesin rreth 2.78 milion njerëz nga aksidente ose sëmundje të lidhura me profesionin e tyre. Në vendet e pa sigurta të punës ndodhin qindra miliona aksidente dhe shkaktohen sëmundje profesionale, të cilat sjellin kosto shoqërore dhe ekonomike të konsiderueshme.

Standardi ISO 45001, Sistemet e menaxhimit të shëndetit dhe sigurisë në punë - Kërkesat me udhëzime për përdorim, synon të përmirësojë statistikat, duke ofruar një model të ri për të zvogëluar rreziqet në vendin e punës, për të përmirësuar shëndetin, për të rritur sigurinë dhe për të promovuar mirëqenien në punë.

Përfitimet e zbatimit të këtij standardi janë të shumta, si: reduktimi i rrezikut të sëmundjeve dhe aksidenteve në punë, deklarimi i sigurimeve të punonjësit, sjellja më pozitive në ndërmarrje dhe bashkëpunim më i mirë me klientët, furnitorët dhe palët e treta.