DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Tel/Cel: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Adresa: Rr.: "Reshit Collaku", (pranë ILDKPKI, kati VI), Kutia Postare 98, Tiranë - Shqipëri
Main menu

Takim me studentë të Akademisë Profesionale të Biznesit

Më datën 8 Qershor 2015, në kuadrin e përfshirjes së edukimit në fushën e standardizimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit me Universitetet, Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS) ka ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësuese, duke realizuar takimin e radhës me studentë nga Akademia Profesionale e Biznesit, Fakulteti Ekonomik, Dega Administrim-Biznesi.

Nga DPS, Znj. Kostanca Dedja – Drejtore, Drejtoria e Çështjeve Ligjore dhe Marrëdhënieve me Palët dhe Znj. Anita Reçi dhe Znj. Olta Bane – Specialiste në Sektorin e Promovimit dhe Marketingut prezantuan kuadrin ligjor dhe funksionimin e sistemit të standardizimit në Shqipëri, rolin dhe rëndësinë e standardeve në ekonomi, si dhe mjetet e komunikimit dhe burimet e informacionit mbi standardet.

“Ndërgjegjësimi i studentëve, si gjenerata më e afërt e ardhshme që do të përdori standardet, është një nga përparësitë e punës së DPS-së në këtë drejtim” – u shpreh Znj. Dedja.

Nga Akademia Profesionale e Biznesit ishin të pranishëm Z. Enriko Ceko - Pedagog i lëndës: “Sistemet e Menaxhimit të Cilësisë” dhe një përfaqësi nga studentët e vitit të tretë, Administrim-Biznesi.

“Nevojat për një menaxhim më të mirë kanë bërë që lënda e Menaxhimit të Cilësisë, që fillimisht zhvillohej në programin Master, të zhvillohet edhe në programin Bachelor, duke e parë si një domosdoshmëri të kohës për tregun e punës” – tha Z. Ceko.

Takimi u zhvillua në formë bashkëbisedimi me studentët të cilët ishin të interesuar si për të patur një informacion të përgjithshëm mbi sistemin e standardizimit dhe mënyrën e funksionimit të tij, ashtu edhe për pyetje e aspekte konkrete si: Çfarë është një standard? Çfarë bëjnë standardet për Ju? Si mund të blini një standard? A aplikon DPS ulje në çmimin e standardeve? dhe veçanërisht Sistemi i Menaxhimit të Cilësisë, duke marrë si shembull implementimin e standardit SSH EN ISO 9001:2008 nga DPS. Standardi SSH EN ISO 9001:2008 u mor si shembull konkret për të kuptuar çfarë është një standard, kërkesat e standardit, përfitimet dhe rëndësia në përdorimin e standardeve.

Në fund të prezantimit studentët u njohën me publikimet e DPS (Krijimin e përfitimeve nga standardet për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (SME-të), Udhëzuesi i Menaxhimit të Shërbimeve, Ju jetoni 24 orë me standarde, Si të marrim pjesë në procesin e standardizimit etj), vendosur në dispozicion në stendat dhe tavolinat e promovimit; materiale këto që mund t’i ndihmojnë gjatë procesit të studimit apo edhe në zhvillimin e temave të diplomës në këtë fushë, duke veçuar Katalogun e Standardeve Shqiptare 2015.

Gjithashtu, DPS prezantoi të gjitha mjetet e komunikimit në dispozicion (tel, fax, faqjen zyrtare e internetit, profilet e DPS-së në mediat sociale) duke krijuar mundësinë për komunikim dhe informim të vazhdueshëm në të ardhmen.

Njoftimi i plotë