Organizata Ndërkombëtare për Standardizimin (ISO) sapo ka përditësuar standardin ndërkombëtar për IBAN - Numri ndërkombëtar i llogarisë bankare.
Shumë vite më parë për të transferuar jashtë shtetit para duheshin shumë ditë për të mbërritur dhe ndonjëherë nuk mbërrinin fare në vendin, ku ishin nisur. Numri Ndërkombëtar i Llogarisë Bankare (IBAN) është struktura e numrit ndërkombëtar të llogarisë bankare, e cila lejon transferimin e sigurtë dhe të shpejtë të parave në të gjithë botën. Sapo është përditësuar standardi ISO 13616, Shërbimet financiare, Numri ndërkombëtar i llogarisë bankare.
Standardi ISO 13616-1, Shërbimet financiare - Numri ndërkombëtar i llogarisë bankare (IBAN) - Pjesa 1: Përbërja e IBAN, specifikon strukturën dhe elementet e një numri ndërkombëtar llogarie bankare (IBAN), i cili përmirëson cilësinë, eficiencën dhe kohën e shlyerjes së transfertave kombëtare dhe ndërkombëtare, duke siguruar një shkallë sigurie më të lartë. Pjesa 1 e standardit plotësohet nga pjesa 2, ISO 13616-2, Shërbimet financiare – Numri ndërkombëtar i llogarisë bankare (IBAN) - Pjesa 2: Roli dhe përgjegjësitë e autoriteteve të regjistrimit, i cili detajon procedurat për regjistrimin e formateve IBAN dhe elementet e të dhënave, që vendosen në regjistër.
Standardi u hartua për herë të parë në vitin 1997 dhe ofron një metodë për krijimin e një kodi unik, që përshtatet në sistemet ekzistuese të bankave dhe mënjanon rrezikun e ngatërresave, kur bëhet fjalë për transferimin e parave midis bankave të shteteve të ndryshme.
Standardi ISO 13616 siguron një metodë, e cila ofron një mjet për strukturimin e informacionit dhe ka për qëllim të lehtësojë procesimin automatik të transfertave. Përdorimi i IBAN-it synon rritjen e saktësisë së të dhënave të një transaksioni dhe reduktimin e ndërhyrjeve manuale në procesimin e tyre. Rreziku i vonesës apo i moskryerjes së pagesës për shkak të pasaktësive, reduktohet, pasi llogaria bankare e përfituesit të fondeve, kreditohet vetëm nëpërmjet përdorimit të IBAN.
Komiteti teknik ISO, që hartoi serinë e standardeve ISO 13616 pranoi se një metodë e vetme, universale për identifikimin e llogarisë dhe transfertave bankare për klientët e institucioneve financiare do të ishte praktike, por shumë e kushtueshme për t'u zbatuar. Standardi ISO i hartuar me dy pjesë merr parasysh faktin, që institucionet financiare dëshirojnë të mbajnë metodat e tyre aktuale të identifikimit të veprimeve bankare.
Z. Paul Janssens, Drejtori i Programit në SWIFT, Autoriteti i Regjistrimit për IBAN, tha: “Në epokën e dixhitalizimit dhe pagesave më të shpejta, standardi ISO për IBAN-in luan një rol kryesor pasi përmirëson saktësinë e numrave të llogarisë bankare dhe mundëson vërtetimin dhe automatizimin e përpunimit të pagesave”
Për çdo rast mund të na kontaktoni në adresën:
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS)
Rruga: "Reshit Çollaku" (godina e ILDKPKI, kati VI)
Kutia Postare 98
1014 Tiranë – Shqipëri
Tel: + 355 (4) 222 62 55
Fax: + 355 (4) 224 71 77
E-mail: info@dps.gov.al