DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Tel/Cel: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Adresa: Rr.: "Reshit Collaku", (pranë ILDKPKI, kati VI), Kutia Postare 98, Tiranë - Shqipëri
Main menu

Turizëm për të gjithë me standardet e aksesueshmërisë

Aq sa i bukur dhe që na shlodh e na gëzon kaq shumë, turizmi ka gjithashtu dhe sfidat e veta. Kthehuni në kohë dhe mendoni për vështirësitë që keni hasur gjatë udhëtimit për të shkuar diku jashtë me pushime, nëse keni patur për t’u ngjitur, që iu është dukur si miliona shkallë për të shkuar diku, apo kur, për shkak të pengesës së gjuhës, jeni sfilitur për të kërkuar ushqim ose për të kapur një taksi. Ndoshta, duke kaluar një rrugë me trafik të ngarkuar ka qenë një përvojë e frikshme, apo jeni ndjerë se keni humbur gjysmën e kohës. Imagjinoni sa i vështirë do të ishte udhëtimi për personat me aftësi të kufizuara.

Sipas Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara (UNWTO), shumë nga një miliard njerëz në mbarë botën do ta gjejnë të vështirë të shijojnë kënaqësitë e turizmit, të tilla si privilegjin e njohjes me kulturat e tjera, njohjen dhe vlerësimin e plotë të natyrës së tyre dhe përjetimin e fortë që provon kur hyn në një udhëtim dhe eksploron pamje e eksperienca të reja të pashlyeshme.

Tema e Ditës Botërore të Turizmit (WTD) për këtë vit ishte "Turizëm për të gjithë – duke promovuar aksesin universal" i cili i është përkushtuar krijimit të mjediseve të përshtatshme për kushtet dhe nevojat e të gjithëve, duke i dhënë pa përjashtim cdonjërit nga ne të drejtën për të shijuar kohën e lirë dhe shërbimet e turizmit në mënyrë të barabartë.

Sekretari i Përgjithshëm I UNETO, z. Taleb Rifai, na kujton se “aksesi për të gjithë i përfitimeve nga shërbimet e turizmit duhet të jetë në qendër të politikave të turizmit dhe strategjive të biznesit, jo vetëm si një e drejtë njerëzore, por gjithashtu si një mundësi e madhe në drejtim të rritjes ekonomike”. Organizata Ndërkombëtare e Standardizimit (ISO) ka publikuar shumë standarde në mbështetje të këtij qëllimi.

Standardet e ISO-s janë hartuar e miratuar nga Komiteti Teknik i saj ISO/TC 228 “Turizmi dhe shërbimet që lidhen me të”, ku përcaktohen udhëzimet dhe praktikat më të mira që promovojnë aksesin universal në fushën e turizmit dhe që i mundësojnë ofruesve të shërbimeve në industrinë e udhëtimeve të kenë përfitimet që rrjedhin nga kjo industri.

Për shembull, standardi ISO 13009, “Turizmi dhe shërbimet që lidhen me të - Kërkesat dhe rekomandimet për funksionimin e plazhit” thekson faktin mbi rëndësinë e bërjes së plazheve të aksesueshme për të gjithë, përfshirë këtu edhe personat me aftësi të kufizuara, dhe me kushte të mira higjeno-sanitare, me pajisje të tilla si WC, dushe apo vetëm për larjen e këmbëve, si dhe një pikë me ujë të pijshëm pa pagesë.

Aksesueshmëria për të gjithë nënkupton gjithashtu vendosjen e sipërfaqeve të sheshta të përshtatshme për të aksesuar plazhin dhe mundësisht edhe ujin për personat me aftësi të kufizuara. Këto plazhe, që ofrojnë kushte të përshtatshme edhe për këtë kategori të shoqërisë, tërheqin më shumë pushues.

Ndërkohë, standardi ISO 14785, “Zyrat e informacionit turistik - informacioni turistik dhe shërbimet e turizmit – Kërkesat”, ofron një numër rekomandimesh për t’i bërë zyrat e Informacionit Turistik (ZIT) të aksesueshme për të gjithë. ZIT duhet të marrin në konsideratë aspekte që lidhen me lëvizsshmërinë (hyrje, parking dhe dhoma pa pengesa), si dhe shenjat treguese në ambjentet përreth tyre dhe materialet e informacionit që ata shpërndajnë. Për më tepër, zyrat turistike duhet të japin informacion që lidhet me nevojat e personave me aftësi të kufizuar, të tilla si një listë me hotele të mira e të aksesueshme, aktivitete dhe transport të përshtatshëm, në mënyrë që ata mund të udhëtojnë në mënyrë të sigurtë dhe të pavarur.

Përveç standardeve të përmendura ka edhe një numër të madh standardesh të tjera që ky Komitet ka miratuar të cilat gjenden si standarde Shqiptare mjafton të klikoni në www.dps.gov.al dhe të kërkoni në Katalogun e Standardeve Shqiptare.

Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS)

Rruga “Mine Peza”, Nr. 143/3, 1014 – Tiranë

Kutia Postare Nr. 98

Tel: + 355 (04) 222 62 55

Fax: + 355 (04) 224 71 77

E-mail: info@dps.gov.al

Web site: www.dps.gov.al