Më datën 8 Prill 2015, në kuadrin e përfshirjes së edukimit në fushën e standardizimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit me Universitetet, Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS) ka ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësuese, duke realizuar takimin e radhës me studentë nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës, Fakulteti Ekonomik - Dega Administrim-Biznesi.
Zoti Riza Hasanaj, Drejtori i Përgjithshëm i DPS-së pati një takim të shkurtër me studentët, ku ndër të tjera siguroi se ndërgjegjësimi i studentëve, si gjenerata më e afërt e ardhshme që do të përdori standardet, është një nga përparësitë e punës së DPS-së në këtë drejtim. Më pas Znj. Kostanca Dedja – Drejtore, Drejtoria e Çështjeve Ligjore dhe Marrëdhënieve me Palët dhe Znj. Anita Reçi dhe Znj. Olta Bane – Specialiste në Sektorin e Promovimit dhe Marketingut prezantuan kuadrin ligjor dhe funksionimin e sistemit të standardizimit në Shqipëri si dhe mjetet e komunikimit dhe burimet e informacionit mbi standardet.
Nga Universiteti i Shkodrës ishin të pranishëm PhD. Brikene Dionizi - Pedagogia e lëndës “Menaxhimi i Cilësisë” dhe rreth 30 studentë të vitit të tretë, Administrim-Biznesi.
Takimi u zhvillua në formë bashkëbisedimi me studentët të cilët ishin të interesuar si për të patur një informacion të përgjithshëm mbi sistemin e standardizimit dhe mënyrën e funksionimit të tij, ashtu edhe për pyetje e aspekte konkrete se: Çfarë është një standard? Çfarë bëjnë standardet për Ju? Si mund të blini një standard? A aplikon DPS ulje në çmimin e standardeve? dhe veçanërisht Sistemi i Menaxhimit të Cilësisë duke marrë si shembull implementimin e standardit SSH EN ISO 9001:2008 nga DPS.
Në fund të prezantimit studentët u njohën me publikimet e DPS, vendosur në dispozicion në stendat dhe tavolinat e promovimit; materiale këto që mund t’i ndihmojnë gjatë procesit të studimit apo edhe në zhvillimin e temave të diplomës në këtë fushë.
Gjithashtu, DPS prezantoi të gjitha mjetet e komunikimit në dispozicion (tel, fax, faqjen zyrtare e internetit, profilet e DPS-së në mediat sociale) duke krijuar mundësinë për komunikim dhe informim të vazhdueshëm në të ardhmen.
Studentët e vitit të tretë Administrim Biznesi, potencialisht të gatshëm për tregun e punës, zhvilluan vizita të shkurtra në vendet e punës, në sektorin e Promovimit dhe Marketingut dhe Sektorin e Shitjes së standardeve, duke parë në praktikë proceset e punës në DPS.