DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Tel/Cel: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Adresa: Rr.: "Reshit Collaku", (pranë ILDKPKI, kati VI), Kutia Postare 98, Tiranë - Shqipëri
Main menu

U zhvillua Seminari mbi Eurokodet Strukturore

Në datat 10 dhe 11 Tetor 2018, në ambjentet e Hotel Tirana International, u zhvillua Seminari me temë "Mënyra për zbatimin e Eurokodeve në Ballkan".

Seminari u organizua nga Qendra e Përbashkët Kërkimore (JRC) e Komisionit Evropian me mbështetjen e Veprimit për Zgjerim dhe Integrim të JRC-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit të Shqipërisë, Qendrës për Menaxhimin e CEN & CENELEC dhe Komitetit Teknik të CEN-it 250.

Morën pjesë përfaqësues nga vendet e Ballkanit si: Shqipëria, Bosnje dhe Herzegovina, Maqedonia, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia, përkatësisht përfaqësues të Autoriteteve Kombëtare, Organet Kombëtare të Standardizimit (NSB), mjediset Inxhinierike, Kryetarët e Komiteteve Teknike, veçanërisht të CEN/TC/250 dhe anëtarët e grupeve të punës të TC/250, si dhe të Komiteteve Teknike Kombëtare Pasqyrë të Vendeve të Rajonit. Gjithashtu, morën pjesë përfaqësues nga institucionet që janë të përfshira në përcaktimin e Anekseve Kombëtare dhe trajnimin për Eurokodet.

Në dallim nga të gjitha eventet e tjera të mëparshme për Eurokodet, u theksua pjesëmarrja shumë e madhe dhe interesi i Institucioneve Shqiptare në këtë seminar, 46 nga 97 pjesëmarrës gjithsej, ishin nga Shqipëria. Kjo, falë vëmendjes dhe kontributit të stafit të Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit, si institucioni mikpritës në vend.

Objektivi i seminarit

Të evidentohej progresi i bërë nga të gjitha vendet e Rajonit të Ballkanit në procesin e miratimit të Eurokodeve që nga 2016, në seminarin në Shkup dhe rekomandimet për të ardhmen mbi mënyrat se si të arrihet zbatimi i Eurokodeve në kuadrin ligjor kombëtar të secilit nga vendet e Ballkanit.

Gjetjet

Nga prezantimet dhe diskutimet u duk qartë se pothuaj të gjitha vendet kishin bërë progress të dukshëm në këtë fushë.

Shqipëria u vlerësua shumë si një nga vendet që kishte filluar vite përpara përgatitjet për adoptimin dhe miratimin e Eurokodeve. Kështu, Shqipëria ishte ndër vendet e para, që nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit (DPS), kishte ngritur strukturat përkatëse, që do të bënin shqyrtimin dhe adoptimin e Eurokodeve, të tilla si Komitetin Teknik (DPS/KT 250) pasqyrë me Komitetin Teknik të CEN (CEN/TC 250).

Gjithashtu, DPS u vlerësua për adoptimin e të gjitha standardeve të Eurokodeve si Standarde Shqiptare. Përveç kësaj, kontributi i Qeverisë Shqiptare, përkatësisht angazhimi i ministrisë përgjegjëse për fushën e ndërtimit, e cila krijoi grupuin e punës dhe siguroi fondin e duhur financiar, për përkthimin e pothuaj të gjitha Eurokodeve në Shqip. Kjo i dedikohet punës së bërë nga DPS dhe Komitetit Teknik të saj, në sensibilizimin e kësaj Ministrie, për të avancuar me standardet e Eurokodeve, si standarde shumë të domosdoshme në veprat e ndërtimit. Mbetet shumë për të bërë sa i përket hartimit të Anekseve Kombëtare të Eurokodeve.

Seminari "Mënyra për zbatimin e Eurokodeve në Ballkan" ndihmoi vendet jo-anëtare të BE-së, në Rajonin e Ballkanit, për t'iu përgjigjur sfidave që kanë përpara dhe për të lehtësuar procesin e zbatimit të Eurokodeve në kuadrin e legjislacionit kombëtar të këtyre vendeve. Ai siguroi asistencën e nevojshme teknike në mbështetje të përfshirjes së Eurokodeve në kuadrin e legjislacionit kombëtar, i cili është një hap themelor për zbatimin e plotë të tyre.

Ekspertët nga Shtetet Anëtare të BE-së ndanë njohuritë me përfaqësuesit e organizatave kompetente në vendet e Ballkanit, mbi metodat teknike dhe teknikat, që mbështesin zbatimin e politikave të BE-së. Prezantimet shërbyen si shembuj të praktikave më të mira të Shteteve Anëtare të BE-së, si Italia, Franca, Hollanda, Belgjika e Luksemburgu, për vendet e Ballkanit.

Me shumë vlerë ishte prania dhe prezantimi i Zotit Jean Armand Calgaro – Ish Kryetari i Komitetit Teknik të Eurokodeve të CEN / TC 250, i cili ndryshe, quhet edhe si “Babai i Eurokodeve”. Ai, sëbashku me anëtarët e tjerë të CEN/TC 250, theksuan faktin se përdorimi i standardeve të Eurokodeve në veprat e inxhinierisë civile, si urat dhe ndërtesat është me rëndësi jetike, sepse përdorimi i këtyre standardeve në projektim, bashkë me standardet e materialeve të ndërtimit, do të na jepte vepra multi-funksionale dhe shumë të sigurta, që do t’i rezistonin kohës dhe fenomeneve natyrore.

Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS)

Rruga “Mine Peza”, Nr. 143/3, 1014 – Tiranë

Kutia Postare Nr. 98

Tel: + 355 (04) 222 62 55

Fax: + 355 (04) 224 71 77

E-mail: info@dps.gov.al

Web site: www.dps.gov.al